Një prokurori i famshëm në Paraguai, i cili ka punuar prej vitesh kundër organizatave kriminale në vendin e tij, është vrarë gjatë muajit të mjaltit që po kalonte në Kolumbi.
Marcelo Pecci ishte duke shijuar plazhin fantastik të ishullit turistik Baru, kur u qëllua për vdekje nga dy atentatorë. Pak orë para ngjarjes tragjike, bashkëshortja e tij kishte njoftuar përmes rrjetit social Instagram se ishte shtatzënë.
Presidenti i Paraguajit, Mario Abdo Benitez, tha se atentati ishte një “vrasje prej burracakësh”. Bashkëshortja e Pecci-t, gazetarja Claudia Aguilera, tha se dy persona iu afruan teksa po qëndronin në një plazh privat dhe qëlluan në drejtim të tij. “Erdhën me një varkë të vogël apo një motor uji, nuk e pashë mirë. Njëri prej tyre, pa thënë asnjë fjalë, qëlloi dy herë mbi Marcelo-n, një prej plumbave e goditi në fytyrë, tjetri në shpinë”, tha Aguilera për gazetën vendase “El Tiempo”.
Ngjarja po hetohet nga policia kolumbiane dhe hetues të mbërritur nga Paraguai, të ndihmuar edhe nga zyrtarë amerikanë.
Pecci ishte i specializuar në hetimin e krimit të organizuar, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në vitin 2020 ai hetoi ish-futbollistin brazilian Ronaldinho, i cili u arrestua pasi u fut në Paraguai me pasaportë false.