Shpëtim Idrizi i PDIU thotë se ka ardhur momenti kur procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës të hyjë në fazën e emrave konkretë.

Në një deklaratë për gazetarët jashtë Kryesisë së Kuvendit pas takimit me përfaqësuesit e mazhorancës, Idrizi u shpreh se të gjitha palët duhet të arrijnë konsensus dhe Presidenti të zgjidhet jo vetëm me votat e mazhorancës.

“Shqiptarët kanë nevojë për një President konsensual, sepse nëse do zgjidhet me votat e mazhorancës, kjo shërben për të zgjidhur krizën parlamentare, do kemi një President të krizës. E theksuam që Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë politike. Gjetëm një vullnet të mirë, vlen për ta verifikuar këtë gjë. Nuk do kemi President të zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Shqiptarët kanë nevojë që të fokusohemi në emra konkretë, të fillojmë të vlerësojmë kandidaturat.

Do t’i ftoja të gjithë palët që ne kërkojmë një President mbi palët por nuk duhet ta shohim nga pikëpamja e palëve. Patëm një dakordësi me përfaqësuesit e PS që ka ardhur koha që të hyjmë në procesin e emrave konkretë. Nuk mund të jetë proces i momenteve të fundit. Presidenti i Republikës është një personalitet shumë i rëndësishëm. Sot kërkuam këtë gjë, që edhe për shqiptarët dhe për ne duhet, të hyjmë në procesin konkret të kandidaturave. Kushtetuta na detyron që me konsensus të gjejmë një personalitet. Te diskutimi i emrave, aty duhet të bashkohemi, do kemi mundësi që të tregojmë nivelin tonë për t’i dhënë shqiptarëve Presidentin e duhur”, deklaroi Shpëtim Idrizi. /tvklan.al