Pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e mazhorancës në kuadër të konsultimeve për Presidentin e ri, deputeti Fatmir Mediu ndau me gazetarët qëndrimin që mbajti lidhur me këtë çështje, duke u shprehur se fillimisht duhet dakordësi mes të gjithë opozitës e më pas të arrihet konsensusi me mazhorancën.
Të hënën do të jetë seanca e raundit të parë për Presidentin, por Mediu u shpreh se nuk beson që të ketë një emër konkret deri atëherë.
“Të gjithë deputetë e opozitës duhet patjetër të marrin pjesë me një qëndrim të caktuar. Duhet të kemi një proces të përbashkët opozitar për të caktuar kandidaturat të cilat plotësojnë kushtet për President Republike. Siç shoh nuk besoj që procesi do të ketë kandidat ditën e hënë. Është absurde që politika të përjashtojë politikën. Nuk mund ta ngushtojmë vetëm një profil të caktuar, duhet të jemi sa më të gjerë në pikëpamje të fushave dhe e rëndësishme është që të plotësohen kriteret. Qëndrimi ynë ishte që do të kemi dakordësi të opozitës për të shkuar te dakordësia me mazhorancën”, u shpreh Fatmir Mediu.