Partia Socialiste dhe opozita rinisën ditën e sotme negociatat në përpjekje për të gjetur një kompromis për emrin e kreut të shtetit. Enkelejd Alibeaj tha se opozita ka marrë pjesë në këtë proces për të mos krijuar alibi. Po ashtu ai u shpreh se opozita ka të drejtën legjitime që të propozojë kandidatin për President.
Sipas Alibeajt, opozita të propozojë 4 kandidatë, PS të zgjedhë 2 nga këto propozime. Më pas ai thotë të ngrihet një komision me 6 anëtarë, 3 nga opozita, 3 nga PS dhe të zgjedhin mes 2 propozimeve, kandidatin që do të çojnë për votim në parlament.
“Nuk është ndonjë habi e madhe, se sa fakti që përveç kritereve formale që Kushtetuta përmban, shtetas shqiptar, së paku 40-vjeç, legjislacioni përmban edhe një sërë kriteresh të tjera të shpërndara andej këndej që i referohen institucioneve të tjera që kanë ardhur si nevojë e deformimit që ka ndodhur në rrafshin institucional. Dekriminalizmi, dekomunitizimi, korrupsioni, integriteti moral. Këto janë kritere ligjore po e po, por që janë edhe morale.
Së dyti është ajo që i përket procesit. Bazuar në gjithë arsyetimin më sipër që thashë, e shkruar edhe në dokument, është legjitime, është e justifikuar, shkon drejt frymës së Kushtetutës, atë që indukton Kushtetuta, që opozita të ketë të drejtën e propozimit. Ta ketë të drejtën e propozimit sepse 3 raundet e para duhet shumicë e përforcuar. E drejta për të propozuar t’i përkasë opozitën. Për të qenë më korrektë, t’i përkasë asaj pjese të kuvendit, e cila plotëson numrin e mandateve që shkon 84 e më tej. Këtë kemi bërë ne. Madje kemi bërë edhe diçka më tepër siç në dokument është qartësisht e përcaktuar. Nuk i kemi qëndruar fiks dhe strikt të drejtës sonë për të propozuar në mënyrë ekskluzive. Për të qenë gjithmonë nën frymën e konsensusit, shërbimi që do duhet t’i bëjmë presidentit të Republikës është menduar që të mos jetë një propozim i vetëm që automatikisht do të shndërrohej në emërim, por një propozim i zgjeruar për të dhënë hapësirën e duhur, proporcionale, edhe pjesës tjetër për të qenë pjesë e këtij procesi. Propozojmë nga opozita 4 kandidatura, nga të cilat 2 të mund t’i përzgjedhë brenda kësaj 4-she nga ana jua dhe pastaj pjesa tjetër është e thjeshtë në kuptimin e arritjes së emrit final. Jo një proces përjashtues, një proces gjithëpërfshirës me kronologjinë të përcaktuar, ku në mënyrë proporcionale i jepet pozita, vendi, secilit ishull brenda parlamentit për të konverguar në një proces që sintetizon të gjitha shijet, qëndrimet politike brenda parlamentit”, tha Alibeaj.