Analisti i njohur, Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Pikat mbi I” ka komentuar rastin e Ceno Klosit, drejtorit të Tatim Taksave, i cili është denoncuar për transaksione të dyshimta financiare në dhënien e fajdeve, si dhe për fshehjen e një biznesi 1 milionë paundësh në Londër.
Por sipas Lubonjës personat që punojnë në Dogana, Tatime apo që bëjnë korrupsion janë shndërruar në pronarë të qyteteve. Lubonja ka theksuar se SPAK duhet te veprojë në ketë rast, edhe pse ka dyshimet e tij nëse ky institucion do vihet në levizje.
“Ne vijmë nga një vend kur në vitet ‘90 bënte ndonjë vilë ndonjëri dhe njerëzit e quanin normale. Thonin “punon në doganë ky”, ose “është ministër, është në tatime”. Ka pasur njerëz që thoshin “10% më takojnë mua po të dhashë tenderin”. Ose këta që bënin trafik njerëzish me skafet, hapnin restorante dhe ne hanim atje. Kështu është ndërtuar Shqipëria. Ajo që më bën pesimist është që këta njerëz që përshkova të viteve ‘90, këta janë bërë klasë dominante, këta kanë pushtetin, këta janë pronarët e qyteteve.
Përpara këtij realiteti ndihen të fuqishëm. SPAK është brenda këtij sistemi dhe është i pafuqishëm. SPAK ka disa instrumente, por edhe atje ku teorizohet ndarja e pushteteve ka një diference mes fuqisë që kanë këta pushtete. Të gjithë i mëshojmë tezës që pushteti më i fortë është pushteti ekzekutiv, sepse ai ka edhe policinë.
Kur donte të hetonte Ina Rama 21 Janarin, ai e ndaloi. Këta kanë kapur ekzekutivin dhe a ke ti fuqi apo jo të veprosh? Unë për rastin konkret ngre dyshimet e mia: këtë po e sakrifikojnë, ose ka luftë me disa të tjerë dhe kanë nxjerrë këtë se ky ka shumë. Nuk jam kundër që të veprojë SPAK, por nuk më bind një luftë e vërtetë kundër “Ndraghetës” sonë, por gjithmonë mbetem te dyshimi”, tha Lubonja në News24.