Sezoni veror ka nisur zyrtarisht e bashkë me të edhe sezoni i punës për artistët shqiptar. Pas 2 vitesh që artistët thuajse qëndruan pushim prej pandemisë, kjo verë është totalisht e prenotuar për ta. Por duket se rritja e çmimeve, ka prekur edhe artistët.
Pas vështirësive për shkak të pandemisë, edhe disa nga artistët më të njohur të skenës kanë rritur tarifën e tyre që marrin në koncert. Megjtihatë emrat më të famshëm kanë një axhendë të ngjeshur këtë verë, duke pasur thuajse çdo ditë të prenotuar. Madje ka edhe nga ata që brenda një dite kanë deri në 3 koncerte.
Të shpeshta kanë qenë lëvizjet në listën e këngëtarëve më të paguar, ku shifrat rekord arrijnë deri në 8 mijë euro. Madje, menaxherët e artistëve kosovar në shifrat e publikuara shprehen se kanë tarifa deri në 10,000 euro apo 12,000 euro, natyrisht për një këngëtar/e të caktuar.
Ndonëse shifrat rrallë e thuajse janë bërë publike në formë zyrtare, kjo gjë vazhdon të dëshmohet më së miri me jetën luksoze që bëjnë, përfshirë edhe klipet e pushimet e tyre që tashmë ekspozohen më së shumti përmes rrjeteve sociale. Këngëtarët si Tayna, Ledri Vula Ghetto Geasy, Dafina Zeqiri, Nora Istrefi, Mozzik, Meda e shumë të tjerë, janë ndër emrat që pëlqehen më shumë nga publiku për të cilët thuhet se paguhen mjaft mirë. Lidhur me këtë, në muajin nëntor ish-menaxheri Drin Zatriqi, kërkoi nga Qeveria e re që të rregullohet edhe tatimi i estradës, duke publikuar edhe çmimet për ca artistë që përfitojnë nga koncertet.
Çmimet për disa artistë për një koncert:
Tayna 8.000 – 12.000 euro
Ledri Vula 8.000- 10.000 euro
Capital T 6.000 – 8.000 euro
Ghetto Geasy 6.000 – 8.000 euro
Dhurata Dora 6.000-7.000 euro
Noizy 6.000 – 8.000 euro
Dafina Zeqiri 4.000 – 6.000 euro
Meda: 6.000 – 7.000 euro
Labinot Tahiri – 5.000 euro
Sinan Vllasaliu – 5.000 euro
Ramadan Krasniqi – Dani – 5.000 euro
Fero 3.000 – 4.000 euro
Rina Balaj 3.000 – 4.000 euro
Gjiko 3.000 – 4.000 euro.
Por në realitet, shpeshherë shifrat janë edhe më të fryrë. Në showbizzin shqiptar, rekordin për këtë verë e mbajnë vëllezërit Veshaj. Pas daljes nga Big Brother, Donaldi dhe Romeo kanë nisur karrierën edhe në muzikë, duke marrë mbështetjen e të gjithë publikut. Kështu ata, së bashku me Elgit Dodën kanë një verë komplet të prenotuar, ku do të paguhen deri në 8 mijë euro për një koncert.
Shumica e koncerteve të tyre janë në clubet bregdetare, por edhe jashtë Shqipërie. Zvicra është shteti që i paguan më shumë, ku për një natë koncert, së bashku me reklamimin në rrjetet sociale që Donaldi dhe Romeo i bëjnë kap shifrat deri në 10 mijë euro.
Nuk mbetet pas as Noizy, i cili këtë vit ka një rritje në tarifat e tij, por gjithashtu një numër më të madh të koncerteve brenda Shqipërisë. Ndonëse pak vite më parë ‘zbriti’ nga froni më të paguarit, këtë sezon ai ka fituar sërish ‘titullin’ e mbretit të netëve live. Kështu, për këtë sezon, Noizy është sërish në krye të listës, duke lënë pas kolegët e tij. Deri në 5 mijë euro është tarifa që ai merr për të performuar brenda kufijve dhe deri në 8 mijë euro jashtë vendit.
Një tjetër këngëtar që është ndër më të paguarit këtë sezon është Alban Skënderaj. Ndonëse është më selektiv në përzgjedhje të clubeve dhe eventeve që ai zgjedh, këngëtari ka një axhendë mjaft të ngarkuar këtë verë, ku çmimet për të shkojnë deri në 5 mijë euro.
Edhe ‘mbretëresha e netëve live, Elvana Gjata ka një rritje në kërkesat e saj. Që nga 2018, ajo e humbi fronin e saj, duke zbritur në tarifën 3 mijë euro. Duket se largimi i saj në SHBA, mungesa ekëngëve të reja në tregun tonë e ‘rrëzoi’ Elvanën nga ky fron. Por me t’u rikthyer, artistja e rifilloi edhe njëherë karrierën, aty ku e la. Tanimë Elvana merr deri në 5 mijë euro për një natë dhe dyfishin e kësaj shume për koncertet jashtë Shqipërie. Duket se këngët e reja e kanë rikthyer edhe njëherë në top këngëtaret e përzgjedhura.
Nga ana tjetër është Enca që duket se ka humbur vlerë në tregun e koncerteve. Vite më parë, ajo paguhej deri në 5 mijë euro për një natë live, por duket se mugnesa në tregun muzikor me një produksion të ri, e ka ‘varfëruar’ artisten, që kohët e fundit po kalon më shumë kohë në Dubai sesa në Tiranë. Lista e saj e koncerteve këtë verë është më e vakët se herët e tjera, duke marrë deri në 2 mijë euro për performancat e saj.
Por krejt ndryshe duket situata me këngëtarët e muzikës popullore, që këtë vit do të ketë një sezon të begatë, kryesisht me dasmat. Sinan Hoxha, Artjola Toska dhe Fatmira Breçani janë në krye të listave, ku kanë edhe tarifat e tyre deri në 5 mijë euro për dasma jashtë Shqipëri, kryesisht në diasporë. Një tarifë më të ulët kanë në koncertet e tyre në clube.
Surpriza e kësaj stine është padyshim Beatrix, që është shndërruar ndër artistet më të paguara kohët e fundit. Duket se drama e ndarjes me Donaldin i ka shërbyer në jetën profesionale, duke rritur tarifat. Pas këngëve të reja dhe popullaritetit që i dha historia në Big Brother, Beatrix do të marrë nga 3 deri në 5 mijë euro për koncerte që do të mbajë përgjatë verës. Aktualisht këngëtarja e njohur po punon për të tjera këngë dhe përgjatë sezonit do të jetë në clube të ndryshme, ku do të performojë së bashku me Dafina Zeqirin dhe partnerin e saj, Dj Geek.
Ajo që vëmë re për këtë sezon është një tërheqje e Flor Mumajesit nga netët live. Artisti i njohur vitet e fundit është shfaqur më i tërhequr nga koncertet, duke preferuar të jetë më shumë pjesëmarrës në festa private, ku performon së bashku me djemtë e Three Dots. Së bashku ata kanë një tarifë deri në 8 mijë euro, megjithatë larg çmimit prej 5 mijë eurosh që ka pasur vetëm Flori sezone më parë.
Më interesante duket lista e artistëve kosovar, që përditë e më shumë shndërrohen në të preferuar edhe në vendin tonë. Ledri, Ylli Limani, Getoari dhe Capital T janë disa nga këngëtarët që kanë një sezon të ngjeshur, ku rekord in e mban Ledri deri me 3 koncerte brenda ditës. Këta artistë marrin nga 3 deri në 8 mijë euro për një natë.
Nga femrat Tayna nuk është më e paguara, duke u rradhitur pas Dhurata Dorës, që këtë sezon do të jetë kryesosht me koncerte jashtë vendit, ku do të marrë shifra deri në 5 mijë euro. Kida është një tjetër emër mjaft i pëlqyer që shumë shpejt është ngjitur në ‘top 5- çen’ më të paguar për sezonin veror. Në llogaritjet e bëra, ka artistë që fitojnë deri në 500 mijë euro brenda tre muajve të verës.