Festë gjysmë private dhe nën masa të rrepta sigurie. I tillë ishte dje për socialistët 31-vjetori i krijimit të Partisë Socialiste.
Festa u konsiderua vetëm për familjen socialiste, e cila u mblodh në oborrin e selisë në një aktivitet pa fjalë të mbajtura nga zyrtarët e partisë, pa kamera dhe të rrethuar nga një perimetër i gjerë sigurie, duke mos lejuar kalimin pranë. Pritja në oborrin e Partisë Socialiste ishte organizuar në masa të rrepta të forcave të Gardës, ku të ftuarit u kontrolluan fizikisht dhe me metal-detektor për sende metalike.
Gjithçka nisi me himnin kombëtar, ndërkohë që në oborr u vendosën edhe disa tavolina për qëndrimin e të ftuarve. Në njërën anë të selisë, të ftuarit u pritën nga kryebashkiaku Erion Veliaj, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe deputetët Etjen Xhafaj dhe Blerina Gjylameti. Ndërkohë, në një pjesë tjetër të selisë ishin Beldi Klosi dhe Anila Denaj që presnin të ftuarit.
Ftesën e shoqëruan këngët e “Queen – We Are The Champions” dhe këngët e “U2 – With Or Without You”. PS shfaqi një dokumentar të shkurtër për aktivitetin politik të kësaj force, ndërkohë që në sfond u dëgjua vetëm fjalimi i shkurtër i Damian Gjiknurit, i cili çeli festimet, shpërtheu fishekzjarrët dhe tha: “Rroftë Partia Socialiste dhe rroftë Shqipëria!”.