Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se faza e parë për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë është përmbyllur me sukses.
Duke folur në konferencën e parë antikorrupsion në Shqipëri, Manja tha se SPAK dhe BKH kanë dhënë rezultatet e para të prekshme duke goditur korrupsionin në nivelet e larta.
Ministri Manja tha se qeveria është e gatshme të buxhetojë këto institucione për shtimin e prokurorëve në bazë të ngarkesës që mund të kenë.
Pjesë nga fjala e ministrit Ulsi Manja:
Konstatoj me kënaqësi që faza e parë e reformës në drejtësi ajo e ngritjes së institucioneve është tashmë e përfunduar. Kemi hyrë tashmë në fazën e dytë, ajo e konsolidimit. Qëllimi kryesor ishte lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, dhe rezultati ishte vettingu. Reforma në sistemin e drejtësisë ka qenë rruga e duhur dhe për këtë unë jam krenar si ministër i drejtësisë. Në këtë fazë të parë është vulosur ngritja e një arkitekture të re të sistemit të drejtësisë. Pasi procesi i vettingut të ketë përfunduar në vitin 2024, sot ka mekanizmat e duhura që sistemi të mos bie në atë nivel që ishte më parë. SPAK dhe BKH sot që flasim ka dhënë rezultatet e para të prekshme në nivele të larta. Natyrisht që kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e duhur buxhetore. Reforma në sistemin e drejtësisë ka krijuar dhe garantuar mekanizmat e duhura për të luftuar korrupsionin jo vetëm brenda vetes, por edhe në nivele të larta. Jemi të gatshëm të buxhetojmë shtimin e prokurorëve nisur nga ngarkesa që do të ketë SPAK.