Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë pasdite ka vizituar prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Rama ka qëndruar për rreth 20 minuta, së bashku me katër ministra të tij, derisa është pritur nga shumë anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, si Vlora Çitaku, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, dhe nënkryetari Sami Lushtaku, shkruajnë mediet kosovare.

Kryeministri i i Shqipërisë nga kjo vizitë nuk doli duarthatë, pasi mori si dhuratë nga ana e familjes së Thaçit, flamurin kombëtar kuq e zi.

Nesër, 20 qershor,  në Prishtinë do të mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë – Shqipëri.

Tradita e mbledhjeve të përbashkëta që nisi nga vitin 2014, do të ul sërish dy kryeministrat Rama e Kurti dhe ministrat e tyre për të nënshkruar të tjera marrëveshje në funksion të lehtësirave proceduriale dhe shkëmbimeve ekonomike Shqipëri-Kosovë.

Takimi në Prishtinë vjen në një muaj ku qëndrimet e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë qenë shumë miqësore mes tyre.

Nga Ohri ku u mbajt sesioni i radhës i nismës së Ballkanit të Hapur, Rama deklaroi se respektonte qëndrimet e një shteti Sovran si Kosova, por i kujtoi liderëve kosovarë historinë e marrëdhënies SHBA-Japoni, për t’i kërkuar të mos e refuzojnë më nismën për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë.

Diferencat e theksuara në qëndrime u shfaqën edhe pak ditë më parë në Greqi në Samitin e SEECP, ku Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka shkëmbyer jo pak replika, qëndruan larg njëri-tjetrit.