Prokuroria e Tiranës njofton se ka nisur kryesisht hetimet për humbjen apo dëmtime të tjera të regjistrave të kadastrës Tiranë. Prokuroria ka regjistruar procedimin për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”.

Në njoftim thuhet se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka marrë shkas nga deklaratat e bëra në media nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, lidhur me humbjen apo dëmtime të tjera të faqeve të regjistrave të kadastrës, për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj.

Prokuroria thekson se do të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit.

“Ka filluar kryesisht, hetimet duke regjistruar procedimin penal nr. 4807 datë 21.06.2022, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”, parashikuar nga neni 248 dhe 192/a i Kodit Penal, pa autorë të dyshuar.

Lidhur me faktet e sipërpërmendura Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është e angazhuar maksimalisht që të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit”, thekson njoftimi i Prokurorisë.

Problemet

Artan Lame: Nga regjistrat 515 faqe mungojnë, janë grisur e as i kanë zëvendësuar.

I mbetet hetimeve për të zbuluar çfarë ka luajtur në këto qindra faqe që nuk ekzistojnë. Me qindra faqe të dyshuara si të zëvendësuara. Them të dyshuara se duket që faqja ndryshon, ngjyra apo formati i faqes, por dhe kjo kërkon hetim për të kuptuar çfarë ka qenë në faqen origjinale.

Janë gjetur faqe të dubluara, pra e njëjta pronë ekziston në dy faqe. Kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri i trajtohej dhe një qytetari e një tjetri, në fakt ishte një pasuri e vetme e më pas përfundonin në dyert e gjykatave për të vendosur e kujt ishte.

180 faqe të grisura, nuk ekziston faqja në regjistër por duken.

Fenomen që në Tiranë ishte shumë më i madh se në Durrës. Janë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër. E kuptueshme që do të thotë janë lënë faqe bosh se regjistri nuk është plotësuar. Qëllimi ka qenë për ti plotësuar me ato ATP e Rrugës së Kavajës, pra janë mijëra faqe pronash shtetërore që kanë përtuar fare ti plotësojnë.

Dihet që është pronë shtetërore pra është e paplotësuar, është punë e paguar një herë që duhet ribërë nga Kadastra. Ka dhe ndërrime fletësh sa janë bërë me aq art sa nuk kuptohen menjëherë.

Zonat me probleme

Artan Lame: Regjistrat e dëmtuar më shumë kanë të bëjnë me pasuritë në zonat në zhvillim si Farka, Kashari, Yzberisht, Mëzez, Baldushk, Ndroq, Pezë Helmes, dhe Peza.

Në zonën e Kamëz-Vorë, do veçoja qytetin Kamëz dhe qytetin Vorë, Paskuqan, Valias, Bathore, Laknas, Babrru dhe Domja.