Panoramaplus.al/ “Tradhtia” e Gerard Piques ndaj Shakirës u përfol gjatë në media si arsyeja që çoi në ndarjen e dyshes së njohur.
Mirëpo që pas këtij momenti kanë qenë të shumta spekulimet nëse fshihet diçka tjetër pas kësaj. Roberto Garcia ish i dashuri i njërës nga motrat e këngëtares ka deklaruar së fundmi se tradhtia e futbollistit nuk ishte arsyeja e vetme. Ai tregoi se në fakt problemet mes ish-çiftit kishin filluar kohë më parë, dhe arsyeja ishin paratë.
Ish-kunati i Shakirës në një intervistë për median spanjolle “Esdiario” rrëfeu se Gerard disa kohë më parë i kishte kërkuar një kredi që ta investonte në biznese të tjera. Por, e ndikuar edhe nga prindërit e saj autorja e hitit “Waka Waka” nuk kishte pranuar.
“Sipas asaj që më ka thënë një person shumë i afërt i tyre, mes të dyve ka pasur një problem ekonomik. Supozohet se Pique do t’i kishte kërkuar Shakirës para për një çështje investimi dhe familja e këngëtares nuk ka pranuar t’ia japë. Ata nuk i përzienin paratë e tyre dhe e mbajnë ekonominë familjare në 50%,”- u shpreh Roberto Garcia.
Roberto pohoi gjithashtu se këngëtarja nuk ka pasur kurrë synime të martohej me futbollistin.
“Shakira u fiksua pas Pique sepse i pëlqente që ai të ishte babai i fëmijëve të saj. Ajo e dinte se nuk do të martohej kurrë me të”, shtoi ai.
Ju kujtojmë që ndonëse nuk u celebruan kurrë zyrtarisht, Shakira dhe Pique në 12 vite lidhje janë prindër të dy fëmijëve, Milan dhe Sashës.