Partia Demokratike ka bërë lëvizjen e radhës pak ditë nga protesta e thirrur nga Sali Berisha më 7 korrik në orën 19:00 në Tiranë.
Përmes një njoftimi zyrtar PD ka bërë me dije se do të hapë selinë dhe foltoren e saj për shqiptarët.
Sipas tyre qytetarët do të kenë mundësinë që të shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejtë dhe jo nëpërmjet përfaqësuesve politike.
Gjithashtu përmes këtij njoftimi PD fton të gjithë qytetarët që duan të ngrenë zërin, të bashkohen çdo ditë në foltoren e selisë dhe më pas në 7 korrik të dalin të gjithë të bashkuar në shesh.
Kujtojmë se ditën e djeshme PD zbuloi dhe sloganin e protestës i cili është: Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua.
Njoftimi i plote:
Partia Demokratike me idenë e hapjes ndaj shoqërisë, dhe në përgatitje për frymën popullore të protestës së 7 korrikut, do të hapë selinë dhe foltoren e saj për shqiptarët.
Për herë të parë, të rinj e të reja, burra e gra, profesionistë dhe fermerë, njerëz nga të gjitha fushat e shoqërisë, do të hyjnë në seli për të shpallur shqetësimet e tyre personalisht, dhe jo nëpërmjet përfaqësuesve politikë.
Partia Demokratike, në kontratën e re sociale me shoqërinë, fton të gjithë shqiptarët që duan të ngrenë zërin, të na bashkohen çdo ditë në foltoren e selisë dhe më 7 korrik në shesh.