Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 7 korrikut, e cila do të mbahet para Kryeministrisë në Tiranë.
Në një postim në Facebook, ai u bën thirrje të gjithë të rinjve që të shkojnë e të ngrenë zërin që kjo qeveri të mos tallet me të ardhmen e tyre.
Postimi i plotë i Agron Dukës:
Të dashur të rinj, ejani në protestë, që asnjë qeveri të mos tallet më me ju!
Ne e dimë se sa i rëndë është zhgënjimi dhe mungesa e shpresës.
Ne e dimë sa sa fatale është për vendin tonë ikja e vazhdueshme e rinisë, pjesës më vitale të shoqërisë.
Ne jemi dëshmitarë të një degradimi që është duke pësuar sistemi arsimor, vit pas viti.
Qeveria po ndërton vërtet shkolla të reja, të bukura nga jashtë dhe moderne.
Por nga brenda arsimi është përkeqësuar. Provimet e maturantëve këtë vit e dëshmuan këtë gjendje.
Por, të dashur të rinj, kjo qeveri hipokrite, është edhe e frikësuar. Ajo nxitoi të frenojë protestën e maturantëve duke manipuluar provimet në një tjetër lëndë, për të mbytur zemërimin për tezat e provimeve të gjuhës dhe matematikës.
Dituria nuk është rubinet të cilin qeveria e mbyll dhe e hap sipas hallit të saj.
Arsimi duhet të bazohet mbi standarde dhe matja e njohurive( teza) duhet të bazohet mbi profesionalizëm.
Ndaj, ejani dhe ju bashkohuni në këtë protestë!!!
Nëse nuk dëshironi, mos mbani asnjë flamur partie, asnjë pankartë, por eja dhe ngrijë zerin, në mënyrë që as sot e as kurrë më, asnjë qeveri të mos tallet me të ardhmen tënde dhe të vendit tënd.
Protesto më datën 7 Korrik, Ora 19:00