Gazetari Aulon Kalaja përmes një lidhjeje të drejtëpërdrejtë me studion e lajmeve të televizionit FaxNews, komentoi përleshjen fizike të ndodhur në Elbasan mes kandidatit për deputet Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca.

Kalaja u shpreh se professor Luçiano Boçi është një person i qetë me integritet të lartë, i cili flet me gjuhën e penës dhe jo të pushkës, ndaj sulmi ndaj tij është i ngjashëm me një sulm ndaj Papës së Romës.

“Unë gjykoj që ky është një nga incidentet më të rënda që ka ndodhur deri tani.Është një incident që i ndodh një personi me integritet të lartë si profesor Luçiano Boçi, i cili është një nga figurat më të nderuara jo vetëm të qarkut të Elbasanit por të gjithë Shqipërisë. Është një njeri i cili ka 3 legjislatura deputet dhe vjen nga profesoriati, ka qenë pjesë e Universitetit Aleksandër Xhuvani. Një njeri i cili vjen nga një familje e shkëlqyer dhe këtë e them me baza. Luçiano Boçi është një njeri i cili nuk përdor pushkën por penën. Të sulmosh Luçiano Boçin është njësoj si të sulmosh Papën e Vatikanit.

Luçiano Boçi është një nga ato figura të ralla jo vetëm të Partisë Demokratike dhe e nderon politikën shqiptare pjesëmarrja e tij në parlament.

Kur kërcënohet Luçiano Boçi dhe i bihet në qaf atij, të gjitha kërcënimet me jetë kanë rënë mbi ne”, tha Kalaja.

Ngjarjen gazetari Kalaja nuk e sheh si rastësore, por si produkt të denoncimit që deputeti Luçiano Boçi i ka bërë më përpara ndotjes të shkaktuar në Labinot nga derdhjet e fabrikës të biznesmenit Luca.

“Ju e dini shumë mirë që Luçiano Boçi ishte një nga ata persona që denoncoi skandalin në Labinot të derdhjes në lumë të mbeturinave të fabrikës që posedon kërcënuesi në fjalë. Ka një rrjedhë logjike të asaj që ka ndodhur dhe nuk ka ndodhur asgjë rastësisht”, tha Kalaja.

Faxnews