Ish-kryeministri Sali Berisha është duke mbajtur fjalën mbyllëse në protestën para Kryeministrisë, me një prezencë të mijëra qytetarëve që kanë ardhur nga disa qytete të Shqipërisë. Berisha është shprehur se tubimi i sotëm është vetëm fillimi i “marshit të lirisë”.

“Nga ky shesh, në emër të këtyre qytetarëve dhe mbarë shqiptarëve, bëj thirrje: “boll vodhe, ik”, “boll vodhe, ik”, “boll vodhe, ik”. Një komb që lind fëmijë për emigracion, është një komb pa të ardhme”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha, njëherësh dhe kryetar i PD.

Në fjalën e tij, ai ka folur dhe për aferën e inceneratorëve, duke e akuzuar kryeministrin se kishte vjedhur bashkë me kabinetin e tij 120 milionë euro. “Ne do t’i presim atij biletën dhe ky është vetëm fillimi i marshit të lirisë”, tha Sali Berisha.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministri Sali Berisha:

Edi Rama ke shkelmuar ëndrrën e rinisë së viteve ’90 që doli në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti, ballë për ballë me diktaturën, që shqiptarët të votojnë të lirë. U blenë votën shqiptarëve pasi i ke varfëruar, u blenë votën me banda, me patronazhistët e tu.

Fjala e lirë do të jete motoja jonë dhe ata që guxojnë të prekin fjalën, do të mjerohen. Në këtë shesh, disa oratorë folën, të cilësuan hajdut, por e vërteta është se nuk do doja kurrë nga kjo platformë të flisja për hajdut dhe vjedhës. Por çfarë të të them për sarajet e Surrelit, kur ke deklaruar vetëm 3 mijë euro. Edi Rama, çdo qindarkë e tyre është hajni, ndërtuesi i tyre fitoi tenderin i vetëm në garë me 99.9% të vlerës, 11 milionë euro.