Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij para protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit se shqiptarët janë bashkuar sot me frontin e shpëtimit të Shqipërisë.

Qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë. Të dashur demokratë dhe demokrate, anëtarë të partive opozitare dhe shoqërisë civile, qytetarë pa parti.

Socialistë të partive të tjera që jeni sot në këtë shesh të lirisë. Të dashur bashkëatdhetarë të ardhur nga mijëra km larg për t’u bashkuar sot me frontin e shpëtimit te Shqipërisë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Një përshëndetje vëllazërore për ju që sot latë gjithçka dhe u bashkuat këtu në bulevardin e kombit duke u bërë kështu një burim drite dielli, shprese për mbarë shqiptarët. Sonte më shumë se kurrë mendjet dhe zemrat, sytë e shqiptarëve janë të drejtuar te ju.

Ju erdhët në këtë bulevard sepse juve ju thirri ora e lirisë, ora e Shqipërisë. Shqipëria në rrezik ishte kushtrimi që ju ngriti ju në këmbë për ta shpëtuar atë”, tha Berisha.