Santiliano Çifliku ishte vetëm 27 vjeç kur u paraqit në një zyrë noterie në Berat në 2015- ën, për të regjistruar një kompani ku ai vetë do të ishte pronar dhe administrator. Kompania AL-BER CO&CO do të zhvillonte aktivitetin e vet në qytetin e Beratit, në një gamë të gjerë fushash, nga ndërtimi tek transporti.

Në ekstraktin e QKB duket qartë firma e tij naïve vendosur mbi dokument. E shkruar me dorën e vet Santilianos, fiksohet emri dhe mbiemri i tij, e siç mund të konstatohet me sy të lirë, firma ka deridiku pamjen e një zhgarravine.

Vetëm 27 vjeç dhe themeloi kompaninë që, siç po rezulton sot nga dokumentet që dalin nën dritën e hetimit të çështjes së Inceneratorëve, lëvroi plot 5,5 milionë euro që shkonin tek firma e Klodian Zotos por edhe disa firmave të ndërtimit. AL-BER CO&CO është një ndër 24 firmat e përfshira në skemën e kompanive të krijuara për evazion fiskal dhe përvetësim të paligjshëm të pasurisë.

Në korrik 2016, 9 muaj më vonë, regjistroi bilancin e parë pranë QKB-së, ku duket se kompania nuk ka asnjë aktivitet. Bilanci gjithë e gjithë ka vetëm tre faqe. Por, edhe pse vula e njomë e kompanisë është e dukshme, firma e Santilianos, nuk është e njëjtë me firmën që ishte në aktin e themelimit të kompanisë dhe në statutin e saj.

Shkurt dhe saktë, Santiliano, nuk do tia kishte haberin fare se ç’bëhej me kompaninë që kishte krijuar. Nuk kishte faj: ishte vetëm 27 vjeç në qytetin e Beratit.

Në nëntor 2016, Santiliano fillon punë si POLIC te drejtoria e Policisë me një pagë prej 480 mijë lekësh të vjetra, bruto. Firma që kishte në pronësi, nuk mund të binte në duar të panjohura, ndaj në tetor 2017, Santiliano i shet 100 përqind kuotat e kapitalit të shoqërisë, motrës së tij 25 vjeçare, më e vogël se ai, e datëlindjes 1992, Esmeralda Çifliku në një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra.

Për më shumë, artikullin e plotë investigues e gjeni në revistën NEWSBOMB.al, në të gjitha pikat e shitjes së gazetave, që nga dita e sotme, 20 korrik, për një muaj, në çmimin 500 lekë.