Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinjtë në qytetin e Fierit.
Kryemadhi u shpreh se revolta ndaj Ramës tashmë është kthyer në neveri, ndaj një kryeministri i cili thotë se punë ka, por të rinjtë janë dembelë.
Sipas Kryemadhit, familjet e të rinjve kanë harxhuar para për ti diplomuar, për të përfunduar shkollën dhe pastaj kanë përfunduar kamerier.
Kryemadhi: Ajo që ne mendojmë dhe që është shumë e rëndësishme është që sot Fieri ka nevojë për kuadrot e tij, Fieri ka nevojë për personalitetet e veta, të cilat do ti duhen jo vetëm për politikën, por dhe për ekonominë, industrinë, bujqësinë dhe për shumë fusha të tjera të jetës, të cilat e bëjnë të mundeshe jetesën në këtë vend. Ajo që mua më bën më shumë përshtypje, por që revolta ime ndaj një individi të tillë nuk është më revoltë, por është neveri, ndaj një Kryeministri që thotë: ‘Të rinjtë dhe të rejat rrinë në kafe, se punë ka! Prandaj do të marrim të tjerë nga jashtë!’ Si mund të rrish në kafe dhe të gjithë të rinjtë dhe të rejat po ikin në Gjermani për të punuar jashtë profesionit të tyre. Ku familjet e tyre kanë harxhuar para për ti diplomuar, për të përfunduar shkollën dhe të shkosh të punosh kamerier. Nuk është turp të punosh, por kur je inxhinier nafte dhe të shkosh të punosh po themi kamerier, kur je ekonomist dhe të shkosh të punosh recepsionist, kur je inxhinier kimist dhe të shkosh të punosh ndihmës/kuzhinier, nuk mund të thuash që ka vende pune. Sepse nuk mund të thuash që janë vendet e punës, por këto njerëz janë dembelë.
Kryemadhi shtoi se kemi një Kryeministër që e shtyn rininë tonë që të shkojë në emigracion dhe se që e stimulon shpopullimin e vendit
Kryemadhi: Pra, ne kemi një Kryeministër që e shtyn rininë tonë që të shkojë në emigracion. Pra është një Kryeministër që e stimulon shpopullimin e vendit. Është një kryeministër që në fakt largon të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria dhe sjell njerëz që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje, qoftë kjo emocionale, qoftë kjo historike apo edhe kulturore me vendin tonë. Ndoshta mund të quhet pak nacionaliste, por nuk do ta quaja absolutisht të tillë. Unë nuk mendoj që ka njëri nga ne që lejon dikush të hyjë në shtëpitë tona. Njerëzit prandaj i kanë vendosur derë shtëpisë, që secili nga ne të menaxhojë familjen e tij dhe shtëpinë e tij. Dhe Shqipëria nuk mund të jetë han pa porta që mund të hyjnë, të dalin dhe të bëjnë çfarë të duan.
Ora news