Interesi për të marrë makina me qira është rritur pas dy viteve të pandemisë, por shtrenjtimi i çmimeve duket se ka dhënë efekt te rezervimet, të cilat nuk bëhen në afatgjatë.
Eliana Bakiri, administratore e “Top Tours”, vlerëson se për shkak të rritjes së çmimeve, turistët hezitojnë në një pjesë të mirë të rasteve, pasi zëri që shkon për këtë shërbim, në disa raste është edhe më i lartë se ai i hotelit.
Bakiri shprehet se përtej kësaj, viti 2022 dhe ai 2023 pritet të gjenerojnë të ardhura të larta për sektorin e qiradhënies së makinave, duke shkuar më pas drejt normalitetit sezonal të njohur tradicionalisht.
Si ka qenë ky vit sa i takon tregut të makinave me qira? A ka pasur rritje të kostove dhe çmimeve, sikurse ka ndodhur në çdo sektor?
Viti ka nisur shumë mirë, por mund të them se vërehet një rritje artificiale çmimesh, që nuk e dimë se nga po vjen. Njerëzit hezitojnë, sepse çmimi është shumë i lartë. Ne jemi në treg prej 16 vjetësh dhe një situatë si kjo nuk e kemi vënë re.
Mesa kuptojmë është një efekt zinxhir, që nisi me gjysmëpërcjellësit të cilët munguan për ca kohë dhe sollën si efekt pakësimin e makinave të reja të disponueshme. Kjo ka ndikuar ndërkohë edhe në tregun e makinave të vjetra, që janë shtrenjtuar.
Në tregun e makinave me qira, çmimi na është rritur artificialisht, por edhe kërkesa është e lartë. Kjo rritje e kërkesës na gëzon në njërën anë, por edhe na dëmton, sepse njerëzit mund të rishikojnë alternativat e tyre të një makine me qira, kur çmimi është shumë i lartë.
Sot flasim për një çmim mesatar 100 euro dita dhe kjo bën që makina me qira të jetë zëri më i madh në buxhetin e pushimeve. Më parë, zëri më i madh ishte hoteli.
Sa u takon investimeve tuaja në zgjerimin e flotës, a keni bërë blerje të reja?
Ne operojmë në 5 shtete dhe në Shqipëri kemi një flotë me 300 makina, pa përfshirë këtu makinat që i kemi me qira afatgjatë.
Kemi blerë flota shumë të mëdha këtë vit. Kemi rrezikuar në fakt, pasi nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Nga takimet që kemi me partnerët tanë, ky është piku i të ardhurave të makinave me qira dhe pritshmëria është që kështu të jetë dhe viti tjetër dhe më pas të kthehemi në normalitet, duke pasur një aktivitet që përkufizohet me sezone.
Dy janë sezonet kryesore për këtë treg: vera dhe dimri. Janë dhe disa sezone të ndërmjetme, ku mund të shfrytëzohet makina me qira të tillë si në prill apo në pjesën e pushimeve të vjeshtës, por pesha e tyre mbetet modeste.
Cila është baza e aktivitetit tuaj dhe si është ndikuar ai nga turizmi dhe zhvillimet e lidhura me të?
Ne kemi dy linja në biznes. Një për Franchais-et dhe një për shitje. Për këtë të dytën bëjmë “boost” (pagesa në rrjete sociale si formë marketingu) në bazë të fluturimeve. Në lidhje me tendencat që vihen re mbi turizmin, mund të them se, sikurse pritej, mungojnë klientët rusë dhe ukrainas, si efekt i konfliktit.
Në Shqipëri, kjo nuk është shumë e ndjeshme por në Austri, për shembull, ata përbënin 40% të target grupit. Në Shqipëri, turisti i këtyre vendeve ka ardhur i organizuar me charter, çdo gjë të përfshirë, kurse në Austri janë në mënyrë të pavarur dhe makinat me qira janë shumë të zakonshme.
Një tjetër aspekt që kam vënë re është ai i rezervimeve. Ka interes por nuk shoh rezervime në të njëjtin intensitet. Më parë ne si kompani korrikun e kemi pasur plotësisht të rezervuar që në muajt paraardhës, ndërkohë që tani ka ende vende të lira. Pra nuk kemi trendin e rezervimeve të mëparshme. Mendoj se edhe rritja e inflacionit ka ndikuar te njerëzit.
Përgjithësisht sa është kohëzgjatja tipike e marrjes me qira të një makine?
Në Shqipëri, fillojnë me kryesisht 5 ditë dhe mund të shkojnë deri në tre javë.
Nga ana procedurale, ose burokratike, a ka diçka që shqetëson këtë sektor?
Është diçka në fakt që lidhet me gjobat. Do të ishte shumë mirë nëse do të merreshin masa për të na ardhur në kohë reale, pasi në momentin që na vijnë, zakonisht me vonesë, koha për të faturuar klientin për detyrimet ka mbaruar dhe kjo barrë na bie ne. Madje jo vetëm gjobat, por kur ka kundërvajtje të mëdha, i hiqet patenta administratorit.
A ka interes vetëm për makina me qira nga sektori i turizmit apo edhe nga biznesi?
Pjesën më të madhe të rezervimeve e ka turizmi dhe një pjesë tjetër e ka biznesi. Turizmi ka gjeneruar kërkesë të lartë, por duhet të kemi parasysh që Shqipëria nuk është një vend që të nxit për rikthim të shpeshtë.
Ka detin, gurët, natyrën por nuk ka të kombinuara shërbime të tjera ekstra, që e nxisin, për shembull, rikthimin.
Jemi një turizëm kalimtar ku mund të shijosh ushqim të mirë, disa resorte, por mbarojnë këtu./Monitor