Ka nisur tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se që nga 1 gushti, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.

Mirëpo një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç barrikadave në veri pati edhe të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e disa qytetarë edhe u maltretuan në kufi.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

Ky vendim i Qeverisë për shtyrje të masës së reciprocitetit në rast të heqjes së barrikadave, erdhi pas një takimi që patën udhëheqësit e shtetit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.