Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka gjetur kohën për të reaguar në lidhje me operacionin e Guardia di Finanza-s për kapjen e gati një ton drog në det të hapur, ku bashkëpunëtorë ishin edhe tre shqiptarë. Operacioni u krye dje, teksa tre shqiptarët kishin shkuar me skaf deri te Gjiri i Arushës në Karaburun duke e shitur te dy ukrainas që gjendeshin aty me një velierë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çuçi thekson se operacioni është një dëshmi e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis të policisë.
Ministri shprehet se qendron i vendosur në luftën kundër të keqes dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Pak ditë më parë, shoqëria shqiptare u përball me një traumë të shkaktuar nga tragjedia e familjes Avdia, e cila humbi vajzën 7-vjeçare pasi një polic me skaf gjigant vendosi të futej në zonën ku po laheshin pushuesit. Raportimet e mediave treguan se Arjan Tase kishte lidhje me trafikantët dhe se skafin e kishte në pronësi të tij edhe pse mjeti lundrues ishte regjistruar në një emër tjetër.
Pavarësisht ngjarjes së rëndë dhe fakteve të forta kundër Policisë së Shtetit, ministri nuk reagoi për vrasjen e 7-vjeçares dhe rrethanat që çuan në këtë krim. /abcnews.al