Dy shtetas të huaj janë ndaluar nga policia mesditën e sotme teksa po fotografonin uzinën e Poliçanit në Berat.
Sipas informacioneve paraprake 2 të huajt kanë hyrë në tunelin që mbante makineri që kanë prodhuar pjesë për pajisje kundraajrore.
Në orët e para të mëngjesit sot është konstatuar se një nga dyert e tuneleve në hyrje të uzinës i është dëmtuar kyçi
Aktualisht në Berat ka mbërritur Drejtori i Policisë së Beratit, Policia Ushtarake dhe dy fugona të FNSH.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme u arrestuan tre të huaj të dyshuar agjentë, dy rusë dhe një ukrainas, pasi tentuan të hynin në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.
Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.
/abcnews.al