Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për ish-presidentin e Republikës, aktualisht kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Kreu i SPAK, Arben Kraja i është drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon vënien në dispozicion të formularit të vetëdeklarimit të Metës, bazuar në ligjin e dekriminalizimit.
Struktura e Posaçme argumenton se formulari kërkohet në funksion të një hetimi që ka nisur, pas një procedimi penal Nr. 122, të vitit 2022 për kryetarin e PL.
Po cila është padia që ka shtyrë SPAK të vërë nën hetim ish-kreun e shtetit?
Në një reagim për mediat, SPAK bën me dije se hetimet po kryen në kaudër të kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri. SPAK nuk ka dhënë më shumë detaje, ndërsa thekson se hetimet po vazhdojnë.
Kujtojmë se në qershor të këtij viti, VaLteri paditi ish-presidentin me akuzën se gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim.