Një anije cisternë me 400 ton naftë rrezikon të fundoset në Gjibraltar dhe të derdhë gjithë ngarkesën e saj, çka do të sillte një katastrofë mjedisore.
Anija është gjysmë e zhytur ndërsa skuadrat e shpëtimit po përpiqen ta stabilizojnë me anë të mjeteve ndihmëse. Bulk Carrier OS 35 po largohej nga porti kur u përplas me një anije tjetër, e cila gjithashtu po i drejtohej detit të hapur gjatë natës të së hënës.
Fillimisht, shqetësimi kryesor ishin 24 anëtarët e ekuipazhit në bord që kërcënoheshin nga mbytja, por duket se të gjithë janë mirë, ndonëse ende brenda në anije.
Frika më e madhe është derdhja e naftës, ndërsa prioritet minimizimi i fundosjes së mjetit lundrues. Bashi i anijes është zhytur 17 metra dhe situata ndryshon vazhdimisht për shkak të baticës.
Një ekip zhytjeje do të kryejë një inspektim nënujor, ndërsa planet për evakuim janë një opsion nëse gjendja përkeqësohet./tvklan.al