Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar ditën e sotme 11 pasuri dhe 3 llogari bankare të shtetasit Klejdi Avdyli, pasi ky i fundit dyshohet se i ka ngritur këto pasuri nëpërmjet veprimtarive kriminale.

Avdyli ka qenë i arrestuar në vitin 2019 pasi ishte shpallur në kërkim në Itali ku akuzohej si i përfshirë në trafikun e kokainës.

Njoftimi i Plotë:

PROKURORIA DURRËS SEKUESTRON 6 APARTAMENTE, 3 AUTOMJETE, GARAZHD DHE LLOGARI BANKARE
Mbi kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, bazuar në nenin 274 të K. Pr. Penale si dhe ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ndryshuar me ligjin nr. 24/2014, datë 20.03.2014, nr. 70/2017, datë 27.04.2017), me vendimin nr. 573, datë 18.09.2022, ka vendosur:
– Të caktojë si masë sigurimi pasuror “Sekuestro Preventive”, për pasuritë e shtetasit Klejdi Abdyli dhe të familjarëve të tij.
Për këto arsye në mbështetje të vendimit të mësiperm si dhe të neneve 462,463 të K.Pr.Penale është urdhëruar:
1. Ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit penal Nr. 573, datë 18.09.2022 të Gjykatës Shkallës së Parë Durrës për pasuritë e shtetasit K.A dhe familjarëve të tij:
Pasuritë e sekuestruara:
• Garazhd me sipërfaqe 160.91 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
• Apartament me sipërfaqe 73.68 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
• Apartament me sipërfaqe 58.36 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
• Apartament me sipërfaqe 73.68 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
• Apartament me sipërfaqe 59.61 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit I.A;
• Apartament me sipërfaqe 114.5 m2, ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit I.A dhe E.A;
• Apartament me sipërfaqe 69.92 m2, ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetases E.A;
• Automjet me targa AA__, në pronësi të shtetasit K.A;
• Automjet me targa AA__, në pronësi të shtetasit K.A;
• Motomjet me targa AY__, në pronësi të shtetasit K.A;
• Automjet me targa AA__, në pronësi të shtetases Sh.A;
• Llogarinë në Bankën Kombëtare Tregtare, me valutë në Euro, në emër të shtetasit I.A;
• Llogarinë në Bankën Kombëtare Tregtare, me valutë në Euro, në emër të shtetasit I.N. A.
• Llogarinë në Raiffeisen Bank, me valutë në Euro, në emër të shtetasit I.N. A.
2. Është ngarkuar me ekzekutimin e ketij vendimi, Drejtoria Vendore e Agjensisë Shtetërore të Kadastrave Durrës, Drejtoria Vendore e Agjensisë Shtetërore të Kadastrave Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe banka “Raiffeisen Bank”.