Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalimin për Shqipërinë dhe Kosovën në Këshillin e Evropës në Strasburg. Pas mbajtjes së fjalimit, kreu i qeverisë mori një sërë pyetjesh nga të pranishmit në sallë. Ndër të tjera, Rama i ktheu përgjigje edhe përfaqësuesit të Ukrainës në KiE lidhur me pyetjen nëse Rusia do të përjashtohet nga OKB-ja.

Kryeministri i kujtoi përfaqësuesit të Ukrainës se ai vërtet mund të jetë një burrë i gjatë, por është i vetëdijshëm se drejton një vend të vogël si Shqipëria.

Megjithatë, Rama theksoi se e mira e të qenit drejtuesi i një vendi të vogël është se mund të shohësh sesi i marrin vendimet të “mëdhenjtë” dhe të vendosësh se në cilin krah do të qëndrosh.

Për të, nëse shumica vendos përjashtimin e Rusisë nga OKB-ja, në të njëjtin krah do të rreshtohet edhe Shqipëria.

“Kur flas për Ballkanin, mund ta shihni që Ballkani është zona më e brishtë. Rasti kur sheh edhe qëndrimin që kanë marrë agresorët ndaj Ukrainës sot. I vetmi përjashtim këtu është Shqipëria dhe Kosova. Sepse këtu Rusia nuk ka asnjë ndikim. Pra, ne e dimë që ka mosdakordësi të thella me Serbinë dhe edhe pse them që Vuçiç është miku im, fakti është që nuk duhet të ushtrojmë trysni të skajshme mbi Serbinë kur vjen puna te sanksionet. Duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos e hedhim Serbinë në krahët e Vladimir Putinit.

Përfaqësuesit të Ukrainës; Shumë i lumtur që kam sjellë disa emocione këtu. Keni nevojë për to. Jam kryeministri i Shqipërisë. Jam, 1. 98 m por jam i qartë për madhësinë e vendit tim. Dhe e di që s’mund t’i themi botës se çfarë duhet të bej. Një tjetër gjë e mirë e të qenit kryeministri i një vendi të vogël është që ti nuk mund të marrësh vendime të mëdha, vetëm vëzhgon. Ne jemi vendi më pro-perëndimor. Nëse doni ta përjashtoni Rusinë ne jemi të lumtur t’ju mbështetim,” tha Rama. /abcnews.al/