Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njihet tashmë si personi, i cili di të marrë vëmendje mediatike, jo vetëm kur mban fjalime, por edhe në rrethana të tjera.
Gjatë qëndrimit në Berlin, ku po merr pjesë në Kongresin e Partive Socialiste, Rama ka bërë një “lojë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ai i shkoi pas shpine kryeministrit, ndërsa i zuri sytë duke i kërkuar ta gjejë se kush ishte.
Më pas, shefi i qeverisë shqiptare iu drejtua homologut të Kosovës duke i thënë: “Duhet të më kishe gjetur vetë, jo me spiunët”, tha mes tjerash Rama.
Kjo lëvizje e kryeministrit Rama vjen disa ditë pas fjalimit të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku foli për anulimin e raportit të Dick Marty, mbi akuzat se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kryer trafikim organesh gjatë luftës.
I pyetur për mediat nëse e kishte ndjekur fjalimi e Ramës, kryeministri Kurti tha se nuk kishte ndjekur, ndërsa shtoi se Kosova nuk mund të mbrohet pa dënuar më parë krimet, që Serbia ka kryer mbi popullin shqiptar.