Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili tashmë është njeriu më i moshuar që mban këtë post, tha se gruaja e tij, Jill Biden, e mbështet atë për edhe një mandat të ri në krye të SHBA-ve.
I pari i shtetit amerikan tërthorazi ka pohuar se në vitin 2024 do të kërkojë votën e qytetarëve për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.
“Gruaja ime mendon se ne po bëjmë diçka shumë të rëndësishme dhe unë nuk duhet të largohem prej saj”, tha presidenti amerikan Joe Biden, raporton washingtonpost.
“Unë nuk e kam marrë atë vendim zyrtar, por është qëllimi im, synimi im të kandidoj sërish dhe ne kemi kohë për ta marrë atë vendim”, shtoi ai.
Më parë, Jill Biden tha në një intervistë për NBC se ajo do të mbështeste një rikandidim të bashkëshortit në vitin 2024.
“Ai e kupton qeverinë më mirë se kushdo tjetër”, kishte thënë Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden.
Joe Biden ka thënë gjithashtu se është në pritje të rezultatit të zgjedhjeve afatmesme për të parë nëse do të kandidojë sërish për këtë post. Ai gjithashtu tha se beson se mund ta mposhtte lehtësisht ish-presidentin, Donald Trump. Zgjedhjet afatmesme të nëntorit mund të rezultojnë të rëndësishme për partinë demokrate, pasi ajo lufton për të mbajtur kontrollin e Kongresit.