Zbardhet dëshmia e dy vëllezërve të arrestuar për vrasjen e Indrit Ndojit. Ata kanë deklaruar se nuk dëshironin ta vrisnin, por viktima i kishte sulmuar dhe ofenduar dhe në këtë moment ata e kanë sulmuar me kaçavidë për t’u vetëmbrojtur. Sipas dëshmisë, dy vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri janë shprehur se viktima kishte konsumuar lëndë narkotike.

“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai (Ndoj) ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për t’u mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterjen femorale) . Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar’, thanë vëllezërit, raporton BalkanWeb.

Viktima Indrit Ndoj nuk ishte një emër i panjohur për policinë e Shtetit. Në vitin 2021, ai u kap në fshatin Skuraj në Kurbin duke transportuar emigrantë sirianë kundrejt pagesës.