Armant Beqiri, 40 vjeç banues në Tiranë është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Torino” pasi ishte shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

“Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Torino”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit: Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë./Abcnews.al/