Pasuri me vlerë 400 mijë euro në pronësi të një 34 vjeçari nga Elbasani janë vendosur sot në sekuetro preventive me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan që mban datën 10 tetor 2022.

Në 2017 Daniele Çela dhe vëllai i tij Altin Çela u dënuan nga gjykatat e Norvegjisë për trafik droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet në këtë shtet dhe dyshohet se të ardhurat e përfituara nga “shtëpitë e barit” në Norvegji të jenë investuar në Elbasan.

Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan i kërkoi Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi pasuritë e shtetasit Daniel Çela dhe personave të lidhur me të, të evidentuara gjatë hetimeve si pasuri të pajustifikuara dhe të dyshuara si të vendosura mbi burime kriminale.

“Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme të 34-vjeçarit, me vlerë rreth 400 000 euro, konkretisht janë sekuestruar: një apartament, një biznes (lokal) dhe garazhi i tij, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, Elbasan dhe një ndërtesë dykatëshe, në Peqin” informon policia. Operacioni u kodua “Fasada 2” dhe ekzekutimi i vendimit për vendosjen në sekuestro preventive në pasuritë e paluajtshme u njoftua sot (26 tetor 2022) nga policia dhe Prokuroria e Elbasanit.

34 vjeçari Daniele (Oklid) Çela, është dënuar në Norvegji me 13 vjet burg si pjesë e një grupi kriminal për trafikimin e narkotikëve dhe prokuroria e Elbasanit vijon hetimet pasi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i parave”.

Prokuroria njofton se për vilën dy katëshe 264 m2, në 2015 kishte nisur dhe procedura për legalizimin e saj.

Pronat e sekuestruara

“Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme të 34-vjeçarit, me vlerë rreth 400 000 euro, konkretisht janë sekuestruar:

  1. Një Apartament me numër pasurie ……, me sipërfaqe 59 m2 apartamenti dhe 80 m2 veranda, ndodhur ne pallatin nr…shk… kati… ap.11 në lagjen Visarion Xhuvani Elbasan.
  2. Një Garazh me numër pasurie …, me siperfaqe 14,6 m2, e ndodhur në pallatin nr…në lagjen Visarion Xhuvani Elbasan.
  3. Një Njësi me numër pasurie … me sipërfaqe 94,5 m2 e ndodhur në pallatin nr… në lagjen Visarion Xhuvani, Elbasan,” thuhet në vendimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
  4. Banesa 2 kate me sipërfaqe të përgjithshme 264 m2, ndodhur në lagjen Çesme–Peqin për të cilën është aplikuar nga shtetasja A.Ç. me formular vetëdeklarimi datë 13.01.2015.

Denimi i vëllezërve Çela në Norvegji

Në Norvegji Daniele Çela ishte dënuar me 13 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Kristiansand. Vendimi mban datën 10 tetor 2017 dhe ai është shpallur fajtor për veprat penale “Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, “Falsifikim dokumenti”, “Vjedhje energjie elektrike” dhe “Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj” parashikuar nga Kodi Penal norvegjez.

Gjithashtu atij i janë konfiskuar dy objekte që janë përdorur në lidhje me shitjen e lëndëve narkotike, pajisjet e komunikimit, dhe konfiskimin e aseteve në shumen prej 500.000 NOK.

Edhe vëllai i tij Altin Çela është dënuar me 12 vjet burgim për veprat penale “Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, “Vjedhje energjie elektrike” dhe “Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj”, sipas Kodit Penal të Norvegjisë.

Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në Agder me vendimin nr.17-192939AST-ALAG datë 09.05.2018.

Ne hetim per asete te tjera

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara nga veprimtari kriminale, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme./Egnatia news