Policia e Shtetit ka reaguar pas lajmit për kapjen e 45-vjeçarit shqiptar Spartak Dyrmishi, i cili përdhunoi një 34-vjeçare greke dhe tentoi të ërdhunonte një shtetase tjetër.
“Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë”, njofton policia.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm ai është dorëzuar në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, pasi kishte shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te policia greke.
Njoftimi i policisë:
Angazhimi maksimal i strukturave të Policisë së Shtetit, reagimi profesional dhe në kohë, çuan në kapjen dhe dorëzimin vullnetar te Policia greke, të 45-vjeçarit nga Vlora, i kërkuar në Greqi, për përdhunim.
Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë, për një shtetas shqiptar që kishte përdhunuar një shtetase dhe kishte tentuar të përdhunonte një shtetase tjetër, organizoi strukturat operacionale për të ushtruar kontrolle të imtësishme në territorin ku dyshohej se fshihej 45-vjeçari.
Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë.
Duke qenë se ky shtetas ka shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te Policia greke, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije.
Gjatë një komunikimi në mesnatë, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi mjaft profesional i Policisë shqiptare.
Drejtori i Policisë greke, Konstantinos Skoumas e ka falënderuar Drejtorin e Policisë shqiptare, për angazhimin dhe komunikimet e vazhdueshme të realizuara këto ditë, për reagimin e menjëhershëm dhe veprimet profesionale të Policisë shqiptare, të cilat ndikojnë në rritjen akoma më shumë të besueshmërisë nga homologët, forcimin e bashkëpunimit mes palëve, si dhe në rritjen e imazhit të Policisë shqiptare, ndërkombëtarisht. /abcnews.al