Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë sot në Berlin liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së, në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit.
Më 3 nëntor, liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë pritet të nënshkruajnë tri marrëveshje. Marrëveshjet do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, njoftuan zyrtarë të Qeverisë gjermane.
Tre marrëveshje në Berlin për liderët e Ballkanit Perëndimor
Kosovën në këtë samit do ta përfaqësojë kryeministri, Albin Kurti, ndërsa Serbinë kryeministrja Ana Bërnabiq.
Një zyrtar qeveritar në Berlin i tha Reuters-it se këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit, ku edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave ndëretnike të viteve ‘90, tensionet nuk ka përfunduar.
Siç shpjegoi ai, qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Pas samitit, kancelari gjerman do të mbajë konferencë për media.
A do të flitet në samit për propozimin franko-gjerman?
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislim, tha se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.
Sipas tij, pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.
“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha ai më 1 nëntor./REL