Fredi Rrushi u arrestua në Tiranë më 26 tetor kur u zbulua se numri i tij kishte pasur telefonata të shpeshta në telefonin e biznesmenit që familja e kishte denoncuar të zhdukur.
Fillimisht Rrushi u shoqërua për tu marrë në pyetje por u ndalua kur iu zbulua urdhër-arresti nga Italia.
Hetuesit tashmë kanë prova që faktojnë sipas tyre se Rrushi e ka marrë në makinë dhe e ka çuar Rruzhdi Hoxhën në malin e Dajtit ku dhe u gjet i vdekur në Qafë-Mollë.
Njoftimi:
Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq të pandehurin F. Rr. për “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve” dhe “Fshehja ose asgjësim i kufomës”
Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë kërkon dërgimin në gjyq të çështjes nr.7713, të vitit 2021, me të pandehur shtetasit F. Rr. akuzuar se ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësim i kufomës” të parashikuar nga nenet 78, 278 dhe 303 të K.Penal dhe P.Rr sipas nenit 301 të K. Penal.
Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë ka rregjistruar procedimin penal nr. 7713 dt.27.10.2021, për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” të parashikuar nga neni 109 i K. Penal.
Më datë 24.10.2021 në komisariatin e Policisë nr 5. Tiranë ka bërë kallëzim me shkrim shtetasi; S.H. për largimin nga banesa të babait të tij shtetasit R. H.
Në dt.06.11.2021 në vazhdimin e kërkimeve është konstatuar kufoma e një shtetasi e cila dyshohet se është e R. H.
Me vendimin nr. 1999, datë 10.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” të parashikuar nga neni 283 i K. Pr. Penale ndaj personave nën hetim.
Pas një analize të plotë të materialit hetimor, veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ka prova që krijojnë bazën ligjore të të dhënave të mjaftueshme se personi nën hetim F. Rr. ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësim i kufomës” të parashikuar nga nenet 78, 278 dhe 303 të K.Penal.
Po ashtu, në analizë të plotë të materialit hetimor, veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ka prova që krijojnë bazën ligjore të të dhënave të mjaftueshme se personi nën hetim P. Rr. ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” të parashikuar nga nenet 301 të K.Penal.