Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe akuzojnë qeverinë se po përdoren si justifikim për të mbuluar problemet me politikën e tyre të emigracionit në Britani dhe kritikuan Ministrinë e Brendshme se ata po ndikonin në sigurinë e vendit.
Ata janë shprehur se janë larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Britani, për të punuar aty dhe për të paguar taksa, ndërsa këmbëngulin se nuk janë “gangsterë apo hajdutë”.
Këtë herë është Daily Mail që u ka kushtuar një vëmendje të madhe shqiptarëve që punojnë në Angli. Jashtë një lokali në veri të Londrës, shqiptarët e intervistuar janë shprehur se janë viktima të racizmit të hapur dhe ishin vënë në shënjestër me qëllim nga qeveria britanike për të larguar vëmendjen nga menaxhimi i dobët i situatës në kanalin e La Manshit.
“Shqiptarët po vijnë këtu për një jetë më të mirë. Çfarë nuk shkon këtu? Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të tjera, por askush nuk ankohet për ta. Shqipëria është një vend i bukur, por ka shumë korrupsion dhe dhunë. Shumë shqiptarë po ikin nga kushtet e tmerrshme dhe jeta e tyre është në rrezik. Mund të mos ketë luftë atje, por nuk është një vend i sigurt”, është shprehur për Daily Mail Ervis Abdullaj, 39 vjeç, pronar i një lokali në Londër.
Ai shkoi në Britani në vitin 2014 në mënyrë të ligjshme. “Unë nuk erdha me varkë dhe bëj një jetë të rregullt në Britani. Nëse njerëzit rrezikojnë dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për të ardhur këtu, atëherë duhet të ketë një arsye të fortë”, shprehet ai. “Unë punoj pothuajse 18 orë në ditë dhe si shumë shqiptarë në Britani dua të kem një jetë të rregullt. Qeveria britanike po përpiqet të na fajësojë ne për problemet e saj.
Grupet shqiptare në Britaninë e Madhe janë akuzuar për trafikim të njerëzve dhe kontrollin e pjesëve të mëdha të tregut të kokainë dhe kanabisit në ishull.
“A jemi ne i vetmi komunitet në Britani që përfshihemi në kriminalitet dhe trafikim të drogës? Unë nuk mendoj kështu. Unë kam 25 vite këtu dhe nuk po e kuptoj pse tani po fajësojnë shqiptarët për gjithçka. Ne jemi një komunitet i vogël, por po akuzohemi dhe po fajësohemi për të gjitha problemet.
Shumica e emigrantëve shqiptarë në lokal kishin më shumë se 5 vite që kishin shkuar në Angli, ndërsa vetëm pak prej tyre kishin arritur aty në mënyrë ilegale.
Një ndër shqiptarët që kishte mbërritur në Britani me varkë ishte 24-vjeçari i quajtur Esad. “Unë erdha vitin e kaluar me varkë. Pagova një grup në Shqipëri dhe ata më sollën këtu. Këtu duan të vijnë shumë njerëz, pasi në Shqipëri nuk është e lehtë. Atje është e vështirë të gjesh një punë dhe nëse e ke një të tillë, je me fat nëse fiton 200 paund në muaj”, tregon ai.
“Tani po pres të shqyrtohet kërkesa për azil. Jeta këtu në Londër nuk është e lehtë, por është më mirë se në Shqipëri”, është shprehur Esad.
Një tjetër shqiptar, i cili nuk ka pranuar të identifikohej ka treguar se ka paguar rreth 5 mijë paund. “Janë shumë para në Shqipëri. Në Francë ka shqiptarë që kujdesen të sjellin këtu. Është e rrezikshme, por ia vlen të rrezikosh”, shton ai.
Edi Terziu, 37-vjeçari nga Elbasani është shprehur: “Kam 15 vjet këtu dhe tashmë është shtëpia ime. Unë kam një grua dhe dy fëmijë, djali im i vogël ka lindur këtu. Nuk ka punë në Shqipëri. Kështu që erdha në Londër. Në fillim ishte e vështirë pasi nuk dija gjuhën, por kam punuar shumë dhe tani është shtëpia ime. Ne nuk jemi kriminelë, nuk jemi gangsterë. Ne punojmë për paratë tona”, shprehet ai.
Është racizëm sepse është më e lehtë për qeverinë të na fajësojë ne sesa të marrë përgjegjësitë e saj”, shprehet Dritan Doda, 49 vjeç, i cili drejton një kompani ndërtimi.
“Gjatë muajve të fundit ka pasur një rritje të shqiptarëve që kanë ardhur në Angli, por kjo ka ndodhur edhe me komunitete të tjera”, shprehet një tjetër shqiptar Ermond Dena, 50 vjeç, i cili punon në ndërtim dhe jeton prej 10 vitesh në Angli.