Eshte zbardhur dëshminë e dy djemve të radikalistit Gjergj Laçi, i cili u arrestua dje, pasi akuzohet se mbante prej 6 vitesh të ngujuar në shtëpi gruan dhe dy djemtë e tij të mitur.

Në dëshminë e tyre djemtë e Laçit kanë thënë në policia se prej 3 vitesh babai nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia, duke i thënë se i mbante mbyllur pasi “ai e di me mire, se te tjerët duan ti vrasin, ndërsa ai ka fituar”.

Fëmijët pohuan se kanë jetuar të ngujuar bashkë me nënën e tyre brenda katër mureve pa energji elektrike dhe se ushqeheshin kur familjarët, xhaxhai, gjyshi ose i daja i çonin ushqim te dera.

Njëri nga dy djemtë ka zbuluar se babai ishte shumë i frikshëm dhe se qarkullonte në shtëpi me me thika, të cilat sipas tij i mbante të varura në brez. Djali thotë se ëndrra e tij më e madhe është ti rikthehet jetës normale si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë e te shkojë ne shkollë.

Ai tregon  se babai i tij është shumë i dhunshëm ndaj mamasë së tyre, kur ajo i kthehet ai fillon të ushtrojë dhunë fizike ndaj saj në praninë e tyre. Më parë kur kanë qenë më të vegjël i ka dhunuar dhe ata.

Djali rrëfen se ai ka qenë i vetmi që herë pas herë që ka dalë nga shtëpia, kur shkonte karikonte fshehurazi një telefon që i kishin dhënë familjaret.

Në dëshminë e zbardhur nga Abc, Laçi deklaroi se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.

Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht.

Tashmë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi.

Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë./Abcnews.al/