Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka qenë sot në Fier, ku ka njoftuar hapjen e spitalit ‘Memorial’ në fundin e kësaj jave (27 Maj). Sipas ministres hapja e shërbimeve të ndryshme do të bëhet në mënyrë graduale, ndërkohë që tha se spitali do të funksinojë me referime nga mjekët e spitaleve rajonale të jugut.

Në rast se një pacient kërkon ndërhyrje më të specializuar, që nuk mundësohet nga spitalet bashkiake apo rajonale, ai do të referohet për trajtim pikërisht në spitalin Memorial, që është ndërtuar nga qeveria turke, pas një premtimi që Erdogan i ka dhënë Edi Ramës, 3 muaj përpara zgjedhjeve të 25 Prillit.

Pavarësisht se është inaguruar disa herë, puna në këtë spital ende nuk ka nisur, ndërkohë që një pjesë e personelit do të jetë turk, jo vetëm në aspektin administrativ por edhe në atë të mjekëve dhe specialistëve.

“Do të funksionojë si një spital që do të referojë tre rajonet e jugut, po nuk përjashtohen as referimi i rasteve nga QSUT nga qytetet të tjera, ndërhyrje apo konsulta të specializuara të një niveli që përfshin të gjitha specialitetet. Në fundin e kësaj jave do të hapet zyrtarisht ky spital, data 30 Qershor do të hapen shërbime të reja, deri në korrik kur do të hapen trauma dhe ortopedia.

Ashtu sikurse e thashë spitali Memorial në Fier funksionon në bazën e një ststemi referimi, është pjesë e rrjetit të spitaleve publike. Ne kemi hapur një thirrje për punësim për mjekët brenda vendit, do të ketë dhe shërbim nga një ekip turk, është i vetmi që do të ofrojë këtë kujdes spitalor me një staf shqiptaro-turk, jo vetëm në aspektin administrativ, por edhe mjekë të specialiteteve të ndryshme”, u shpreh Manastirliu.

Ndërkohë që rruga që të çon drejt spitalit Memorial është ende e paasfaltuar, ndërsa në ambientet e jashtme të spitalit vijon puna për rregullimin e ambientit.