Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Audrey Glover, ka dalë sot në konferencën e parë me gazetarët, ku u shpreh se synimi kryesor i tyre mbetet përparimi i Shqipërisë në standardet e zgjedhjeve, dhe se nuk ju intereson rezultati i tyre.

E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha, i shpallur i padëshirueshëm nga SHBA-të, Glover tha se është e hapur të diskutojë me çdo faktor që është pjesë e zgjedhjeve të 14 Majit.

“Jam e lumtur që të takojmë çdo individ që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”, tha Glover.

Glover tha se misioni i vëzhguesve do të monitorojë nëse të gjithë kandidatët do të kenë kushte të barabarta për të garuar, si dhe nëse Shqipëria do të mund të garantojë të drejtën dhe lirinë e votës.

“Të gjitha vendet anëtare të OSBE janë shprehur për të zhvilluar zgjedhje në përputhje me këto standarde. Ne do të lëmë faktet që të flasin për të vërtetën.  Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë këtyre elementeve: punës së administratës zgjedhore dhezbatimit të rekomandimeve të mëparshme, frymës së fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen e minoriteteve dhe aksesit të PAK në proces.  

Më kujdes do të shikojmë mënyrën se si janë financuar fushatat zgjedhore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me zgjedhjet. Implementimi i ligjti është po aq i rëndësishëm sa ligji vet. Dhe për zbatim kërkohet vullnet”, tha Glover.

“Ne do të nxjerrim një raport të ndërmjetëm para zgjedhjeve dhe do të ketë një deklaratë ditën pas zgjedhjeve. Në deklaratë do të kemi gjetjet paraprake. Raporti final do të publikohet rreth 8 jave pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe do të përfshijë edhe rekomandimet për zgjedhjet e mëpasshme.  Në këto rekomandime do të parashikohen mënyrat se si ODIHR kërkon të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces.  Ne jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me OSBE-në.

Të gjithë të kemi besim te procesi zgjedhor. Që procesi të ketë integritet zgjedhësit do të mund të bëjnë zgjedhje reale të mirëinfomuar mes kandidatëve të ndryshëm. Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar.  Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë, të fshehtë, të sigurt dhe vota të numërohet korrekt”, vijoi Glover.