Një autobus është përplasur me një automjet në Qafë Thanë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme rreth orës 16.20 në aksin rrugor Qafë Thanë–Prrenjas, ku autobusi i drejtuar nga 51-vjeçari Ilir Alla është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi 28-vjeçar me inicialet I.M, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.

Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa në autobus janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Të lënduarit janë transportuar drejt Tiranës me helikopter.

Sipas burimeve për FaxNews, autobusi ka qenë me udhëtarë nga Kruja në një vizitë në Janinë.

Mësohet se ishin duke zbritur Qafë Thanën, ndërsa mjeti tjetër ka qenë duke u ngjitur dhe ka humbur kontrollin duke i dalë përpara autobusit.

Shoferi i autobusit ka treguar se ka qenë duke zbritur kthesën e Qafë Thanës dhe thotë që mjeti i ka prerë rrugën.

Shoferi i autobusit, Ilir Alla: Unë isha duke zbritur kthesën e Qafë Thanës poshtë. Makina që vinte sipër, duke ndërruar marshet, nuk e di mirë, ka marrë kthesën dhe më ka prerë rrugën komplet. Është kthyer në sensin e kundërt të lëvizjes dhe më ka dalë para.

Të njëjtën gjë konfirmojnë dhe dy prej pasagjerëve të autobusit të pyetur nga gazetarët.

Mjeti i vogël i ka prerë rrugën autobusit. Ishim për vizitë, po ktheheshim për në Krujë.

Shoferi ishte në rregull, në krahë të vetë. Autobusi ka qenë plot. Mjeti i ka prerë rrugën autobusit.