Një aksion i iniciuar nga Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia lokale e Vlorës u zhvillua në Doganën e Vlorës.

Megjithëse nuk pati njoftim zyrtar për operacionin, burimet thanë se kontrollet e forcave të rendit brenda ambienteve të doganës kanë zgjatur rreth 60 minuta.

Policia ka ndaluar kamionë në doganë, që nga pesha kanë rezultuar mbi kapacitetet e përcaktuara. Deri mbrëmjen e së premtes u raportua për disa të shoqëruar në radhët e punonjësve të doganës, të cilët kanë detyra të ndryshme në këtë institucion.

Mësohet se nga katër personat e shoqëruar nga SPAK, një prej tyre është doganier. Dyshimet janë se kanë lejuar apo favorizuar kalim të mallrave me dokumentacion të cunguar.

Oficerët kanë bllokuar edhe një kamion me mallra kontrabandë, për të cilin punonjësit e doganës nuk kishin raportuar. Bashkë me shoqërimet e zyrtarëve, oficerët kanë bllokuar edhe kamionin.

Gjatë mbrëmjes së të martës, efektivët kanë marrë në pyetje personat e shoqëruar për të provuar se kush prej tyre neglizhoi detyrën. Në operacion janë përfshirë rreth 15 efektivë policie me veshje civile, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar me automjete të paloguara për të fshehur identitetin e tyre.

Pritet që në vijim të ketë detaje të tjera në lidhje më aksionin e zhvilluar. Kujtojmë se disa ditë më parë, SPAK zbarkoi në pikën kufitare të Morinës, ku u arrestuan 31 efektivë Policie për korrupsion dhe shpërdorim detyre.