Akuzat e Edi Ramës ndaj SPAK-ut, Komisioni i Rithemelimit i cilësoi si presione të qëllimshme që Prokuroria e Posaçme të mos vijojë hetimet në çështjet ku socialistët janë të përfshirë.

“Sulmi i përsëritur dhe akoma më i ashpër sesa në Kongres i Edi Ramës kundër SPAK-ut ka të bëjë vetëm me Edi Ramën dhe të korruptuarit që e rrethojnë atë, kjo edhe në bazë të informacioneve të besueshme në lidhje me disa hetime ndërkombëtare rreth personit të tij”, tha Këlliçi. 

Sulmi i tij është mesazh i koduar ndaj SPAK që prokuroria speciale të tërhiqet nga çështje që prekin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëz shumë të afërt të tij. Presioni konstant ndaj institucioneve të drejtësisë, kudo në botë konsiderohet vepër e rëndë penale dhe shantazh. I vetmi turp i SPAK-ut do të ishte, nëse i nënshtrohet dhunës së kryeministrit! Turp dhe shkelje e ligjit do të jetë, kur anëtarët e kësaj qeverie, bashkë me Edi Ramën, të mos ndëshkohen për korrupsionin e tyre të frikshëm dhe dëmin kolosal që i kanë shkaktuar Shqipërisë dhe të ardhmes së vendit tonë”, shtoi Këlliçi.