Tre persona, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar. Dy janë arrestuar në Itali dhe i treti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritete thonë se të arrestuarit janë shtetasit Alesandro Locateli,Stefano Bottura dhe Elton Daka.
Konkretisht në vitin 2010, Alesandro Locateli ka kryer dy transferta nga Sllovenia në Shqipëri, në shumën 500 000 euro, të cilat e kishin burimin nga veprimtaria kriminale e këtij shtetasi, në Itali.
Italiani tjetër, Stefano Bottura, përmes një skeme mashtrimi kishte krijuar në Shqipëri një kompani në të cilën ka kryer disa transanksione, ku shuma e parave të hedhura në karta, ka qenë më e madhe se shuma e blerjeve të kryera.
Kurse shqiptari Elton Daka, teksa ushtronte profesionin e tij si avokat rreth dhjetë vjet më parë ka mashtruar dy shtetas të përfshirë në një aksident, të cilëve iu ka marrë vlera të konsiderueshme parash dhe nuk ua ka zgjidhur çështjen.
Njoftimi i policisë:
Vihen në pranga, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Seksionit të Kërkimit të DVP Tiranë, Interpol Tiranës, autoriteteve policore italiane dhe autoriteteve amerikane, 3 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Lokalizohen pas shkëmbimit të informacioneve, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas (2 në Itali dhe 1 në USA) të dënuar me 6, 7 dhe 9 vjet burgim.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, për tre shtetas në kërkim ndërkombëtar, informacionet i janë dërguar autoriteteve policore italiane dhe atyre amerikane, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e këtyre shtetasve.
Në bazë të informacioneve të dërguara nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, janë lokalizuar:
– Në Itali, shtetasi Alesandro Locateli, dhe shtetasi Stefano Bottura;
– Në USA, shtetasi Elton Daka.
Shtetasi Alesandro Locateli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 7 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Në vitin 2010, ky shtetas ka kryer dy transferta nga Sllovenia në Shqipëri, në shumën 500 000 euro, të cilat e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e këtij shetasi, në shtetin italian.
Shtetasi Stefano Bottura ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Ky shtetas me anë të një skeme mashtrimi, ka krijuar në Shqipëri një kompani në të cilën ka kryer disa transanksione, ku shuma e parave të hedhura në karta, ka qenë më e madhe se shuma e blerjeve të kryera.
Shtetasi Elton Daka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas, duke ushtruar profesionin e tij si avokat, në vitin 2013, ka mashtruar dy shtetas të përfshirë në një aksident, të cilëve iu ka marrë vlera të konsiderueshme parash dhe nuk ua ka zgjidhur çështjen.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt vendit tonë.