Sulmet ndaj policisë së Kosovës në Veri janë komentuar edhe nga kryeministri Albin Kurti. Ai shprehet se sulmet ndaj policisë për tre ditë rresht vijnë nga ana e territorit serb.

“Për tre ditë rresht (13 -15 Prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, shkruan Kurti.

Kurti i bëri thirrje Serbisë që të dënojë sulmet që u kryen ndaj policisë së Kosovës.

“Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë. I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”, shkruan Kurti në postimin e tij.