“Parlamenti Evropian do të jetë zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian. Sepse Bashkimi Europian pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor ka një boshllëk të madh dhe të dukshëm”.

Kështu shprehej Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, gjatë një takimi me kryetaren e parlamentit shqiptar, në dhjetor të vitit 2021.

Politikani që mbështeti fuqimisht Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian ndërroi jetë sot në moshën 65-vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Politikani ishte sëmurë rëndë dhe prej më shumë se dy javësh kishte anuluar çdo lloj aktiviteti. Sassoli ishte shtruar në një spital në Itali muajin e kaluar për shkak të komplikacioneve serioze me sistemin e tij imun.

Sassoli ndërroi jetë në orët e para të martën në një spital në Aviano”, shkroi në Twitter zëdhënësi i tij Roberto Cuillo.

Në shtator të vitit të kaluar ai u shtrua në një spital në Strasburg ku u trajtua për pneumoni, ndërsa këtë të martë humbi betejën me sëmundjen.

Politikanët shqiptarë, me të cilët Sassoli ka kryer dhe takime zyrtare, kanë shprehur trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të PE-së.

I hidhëruar nga humbja e papritur e një europianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e Tij dhe institucionet europiane!”, shkruan Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Edhe kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në “Facebook”, ka shprehur keqardhjen për ndarjen e papritur nga jeta të Sassolit:

Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte…”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se Shqipëria humbi një mik të madh.

Jam thellësisht e dëshpëruar  për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh ai vetë në takimin që patëm para një muaji, ‘zëri i Shqipërisë brenda BE-së’. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David”, shkruan Nikolla.

Thellësisht e pikëlluar e humbja e papritur e Presidentit të PE-së. David Sassoli, një kampion i vlerave evropiane, një president i shquar dhe një mik i dashur për Shqipërinë”, shkruan ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në shkurt të vitit 2020 kryebashkiaku Erion Veliaj i dorëzoi Sassolit “Çelësin e Tiranës”, duke e konsideruan Sassolin mikun e shqiptarëve dhe mbështetës të aspiratave evropiane të vendit tonë.

Iku shumë shpejt! Me trishtim të thellë dëgjova për largimin e hershëm të David Sassoli. Presidenti karizmatik i Parlamentit Europian, një evropian i pasionuar, një italian tipik, një adhurues i vërtetë i Shqipërisë, dhe një mik i dashur! Trashëgimia e tij bujare do të mbetet! Addio amico mio”, shkruan Veliaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, në një postim në “Facebook”, kujton se përpara zgjedhjes si President, David Sassoli drejtoi gjatë legjislaturës së kaluar edhe Grupin e Miqve të Shqipërisë.

Kemi bashkëpunuar ndër vite me këtë mik të madh në dobi të mbështetjes së rrugës europiane të Shqipërisë. Ngushëllimet më të ndjera për familjen Sassoli. U prehsh në paqe President Sassoli”, shkruan Balla.