Zv. Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku ndau sot pamje nga “Amerigo Vespucci”, një prej anijeve më të veçanta në botë.

Balluku u shpreh se kjo anije mirëpriti me mijëra vizitorë gjatë këtyre ditëve në Portin e Durrësit.

“Anija e vlerësuar si më e vjetra në botë, së bashku me “Logos Hope”, librarinë më të madhe në botë, tregojnë se tashmë Shqipëria është një nga destinacionet më të preferuara”, theksoi Balluku në një postim në rrjetet sociale.

Balluku shtoi se kjo është një mundësi për të gjithë për të parë nga afër këto dy anije jo të zakonshme të flotës detare botërore.

E ndërtuar në vitet ‘20 në kantieret e Castellammare di Stabia, anija “Amerigo Vespucci” është kthyer në një shkollë lundruese që ka edukuar breza të tërë oficerësh.

Ajo ka kryer mbi 70 fushata trajnimi në mbarë botën. Prej vitit 1994 “Amerigo Vespucci” nuk kishte lundruar më në ujërat shqiptare.