Bizneset në treg të lirë, që po përballen me çmime të larta të energjisë, për shkak të krizës, mund të kalojnë në një situatë më të vështirë.

Tarifat e shpërndarjes që aplikohen nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (pjesë e OSHEE Group) mund të pësojnë rritje më të madhe sesa pritej në skenarin e parë. Kompania publike ka argumentuar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) se po përballet me kosto të shumta për shkak të situatës dhe se aplikimi i saj i parë ka nevojë për rishikim duke rritur më tej tarifat sipas tensionit ku janë të lidhur subjektet.

Kështu tarifa e shpërndarjes për bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt që aktualisht është 1.5 lekë është kërkuar të rritet me rreth 75 për qind duke e çuar atë në 2.62 lekë për çdo kilovat/orë energji të shpërndarë. Më herët aplikimi i parë parashikonte një tarifë 2.61 lekë/kWh.

Sa i takon biznesit të lidhur në 20,10,6 kilovolt tarifa aktuale e shpërndarjes e aplikuar nga OSSH është 3.9 lekë për KWh ndërkohë që në aplikimin e përsëritur të dorëzuar në 4 shkurt 2022 kërkohet një rritje me 6 për qind në raport me tarifën në fuqi. Tarifa e re e shpërndarjes për këtë nivel tensioni kërkohet 4.14 lekë/kWh ndërkohë që më herët në aplikimin e parë ishte kërkuar një rritje me 0.09 lekë nga ajo në fuqi. Ky nivel tensioni i përket 7440 bizneseve që janë të lidhur në rrjetin e OSHEE dhe që kanë detyrimin e daljes në treg të lirë.

Aktualisht këto biznese janë pjesërisht të liberalizuar dhe po furnizohen nga kompania publike me çmim preferiencial dukshëm më i ulët se çmimi i tregut por gati dyfish në raport me atë që kishin më herët. Për janarin ky biznes kishte një tarifë 18.8 lekë/kWh.

Po kështu tarifa e shpërndarjes për ata që janë të lidhur në tension 0.4 është kërkuar që të shkojë në 7.37 lekë nga 6.42 që ishte kërkuar më herët.

Tarifa mesatare e shpërndarjes që aktualisht është 4.79 lekë për çdo kilovat të transmetuar është kërkuar që të shkojë në 6.69 lekë/kWh gati 40 për qind më shumë sesa tarifa aktuale ndërkohë që më herët në aplikimin e parë u kërkua një rritje me 34 për qind.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka argumentuar në shkresën drejtuar Entit Rregullator të Energjisë se janë kushtet në tregje ato që po diktojnë ndryshim të kërkesave në aplikime.

“Si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë në tregun e lirë llogaritjet në dokumentin “Aplikimi për tarifa të shpërndarjes së energjisë elektrike 2022” sipas shkresës sonë nr.8016/3 prot. 18.10.2021 do të duhet sërish të ndryshojë” thuhet në shkresën e OSHEE e cila më poshtë paraqet edhe propozimet për tarifat e reja./Monitor