Nga foltorja e Kuvendit kryeministri Edi Rama replikoi me demokratët për marrëdhëniet me SHBA dhe Bashkimin Europian teksa ata i kujtuan shpalljen non grata të Aqif Rakipit gjë që automatikisht sanksionon edhe deputetin Ornaldo Rakipi.

Rama u shpreh se jemi në demokraci dhe jemi parti të lira që gjykojmë njeriun drejtpërdrejtë. Ai u shpreh se PS gjykon rolin e secilit dhe nuk merret me familjet.

“Unë e kam nga gjyshja, po shkove mbrapa të vdekurve të shkon jeta kot. Nuk ka nevojë të shkoni në ekstreme. Mos vazhdoni të bëni atë që bëni gjithmonë. Mesa po shoh këtu dikush mungon. Ai që mungon sot fliste me gjuhën e të vdekurit. Ti të paktën rishiko gjuhën të mos flasësh si i vdekuri. Është qesharake që flisni sikur jeni me imunitet diplomatik nga ambasada amerikane.

Unë e kuptoj që diku do kapeni. Kapuni pas flamurit të PD se flamurin amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. Flamurin e PD e keni bërë si çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na trego ne se nga çfarë duhet të distancohemi ne. Mos na e qani hallin ne për marrëdhënien me Amerikën, Eurpën dhe shqiptarët.

Janë tre marrëdhënie që janë ekskluzive tonat. Na i keni lënë ju. Këto lojërat e brendshme këtu me flamur amerikan ju bëjnë vetëm qesharakë. Sa për standardin kur t’i vini gishtin këtu një deputeti. Ma gjeni ku është cili? Bëni kujdes se jemi në demokraci. Jemi shpirtra të lirë. Jemi parti të lira dhe gjykojmë njeriun drejtpërdrejtë. Gjykojmë rolin e secilit., Nuk merremi me familjen, fisin dhe farë. Kështu që nuk na konkurroni dot”, tha Rama.