Andrew Tate është arrestuar nga policia në Rumani me dyshimin për përdhunim, trafikim njerëzor dhe vepra të krimit të organizuar. Policia u fut në shtëpinë e tij luksoze ditën e djeshme dhe pamjet po qarkullojnë në çdo rrjet social.

Personaliteti i mediave sociale, i njohur gjerësisht për komentet dhe deklaratat mizogjene, u ndalua për 24 orë së bashku me vëllain e tij Tristan si pjesë e hetimit penal, thanë prokurorët rumunë pas bastisjeve në vilën e tij dhe pronat e tjera pranë Bukureshtit.

Prokurorët thanë se vëllezërit janë të dyshuar në një rrjet të krimit të organizuar që shfrytëzonte seksualisht të paktën gjashtë gra, të cilat ishin rekrutuar, strehuar dhe detyruar të kryenin video pornografike për shitje në internet.

Në një deklaratë për shtyp , DIICOT – njësia e policisë, krimit dhe hetimit të Rumanisë,  tha se ata kishin bastisur pesë shtëpi pasi kishin marrë urdhër kontrolli.

Kontrollet u ekzekutuan si pjesë e një hetimi në vazhdim për një grup të organizuar kriminal, trafik ndërkombëtar njerëzor dhe përdhunim. Deklarata e policisë nuk përmendi emrat e të dyshuarve në qendër të hetimit, por tha se ata përfshinin dy shtetas britanikë dhe dy shtetas rumunë.

Andrew dhe Tristan Tate janë të dy shtetas të dyfishtë të SHBA dhe Britani. Vëllezërit kanë lindur nga një baba amerikan dhe nënë britanike dhe janë rritur pjesërisht në të dy vendet. Policia tha se dy të dyshuarit britanikë joshën viktimat femra duke përdorur ‘metodën e dashurisë’, duke deklaruar në mënyrë të rreme dashurinë dhe qëllimin e tyre për t’u martuar me to.

Arrestohet Andrew Tate, personazhi që tronditi rrjetet sociale me komente

Viktimat më pas u transportuan në ndërtesat në qarkun Ilfov në periferi të Bukureshtit, ku u ‘shfrytëzuan seksualisht’ dhe u detyruan të performonin në video pornografike për t’u shpërndarë në mediat sociale, thuhet në deklaratën e policisë.

Policët thonë se të dyshuarit përdorën ‘dhunë fizike dhe psikologjike’ për t’i detyruar gratë të përmbushin kërkesat e tyre, duke përfshirë kanosjen dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme.