Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ishte këtë të enjte në studion e “Shqipëria Live”, ku u ndal te zhvillimet e fundit në Kosovë, ku Prokuroria Speciale ka thirrur një ditë më parë për dëshmi Albin Kurtin, kreu e qeverisë së Kosovës.
Hajdari e sheh këtë si një lajm shumë të mirë, pasi tregon se kjo Prokurori është e stabilizuar, por nga ana tjetër e sheh si lajm të keq qëndrimin që mbajti Lëvizja Vetëvendosja.
“Kjo tregon se prokuroria e Kosovës është e stabilizuar, që tregon se thërret edhe kryeministrin apo disa ish ministra, dhe lajm shumë i keq që VV si një goditje që i bëhet kryeministrit para zgjedhjeve”, u shpreh ai në Top Channel.
Një nga lajmet me rëndësi ditët e fundit ishte dhe ai i shpalljes kampion kundër korrupsionit të kreut të SPAK nga DASH, Altin Dumani. Për Hajdarin ky vendim nuk ishte surprizë pasi nën drejtimin e Dumanit, SPAK ka dhënë shumë rezultate pozitive, dhe kjo vlerësohet nga SHBA.
“Nuk bëjnë qoka amerikanët…Nuk ishte surprizë për mua, u vlerësua edhe kur erdhi Blinken. Ai dhe institucioni janë të preferuar të SHBA, e vërteta është që në kohën e Dumanit po jep rezultate më të mira, dhe fakti që e kanë vlerësuar duhet të dinë edhe disa gjëra që në nuk i dimë, për punën që bën institucioni dhe Dumani”, tha Hajdari.
Në lidhje me publikimin e raportin e Komisionit të Venecias, lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ish-prokurori tha se “Venecia ishte me të gjithë dhe me asnjë palë”. Ai deklaroi se sa i përket këtij debati, do duhet që vetë deputetët në rastet e boshllëqeve, duhet që të plotësojnë kuadrin ligjor.
“Vendimet e Kushtetueses ne nuk duhet t’i komentojmë, nuk vëmë dot një notë… Vetë deputetët në raste boshllëqesh siç është dhe ky rast, duhet të plotësojnë kuadrin ligjor. Kjo është rruga mbi bazën e së cilës në duhet të anëtarësohemi në BE”, u shpreh Hajdari.
Sa i përket debatit në Maqedoninë e Veriut për gjuhën Shqipe, dhe përfundimin e kësaj çështjeje në Gjykatë, ai u shpreh se kjo e fundit “po ngatërrohet kot”.
“Po ngatërrohet kot Gjykata e Maqedonisë së Veriut me këtë çështje, e ka saktësuar Rama në takimin e pardjeshëm, që problemi i gjuhës nuk është ligji por ekzistencës së shteti, sepse është shtet jo unitar. Maqedonia do qëndrojë nëse do ketë harmoni mes pjesës maqedonase dhe shqiptare. Gjuha shqipe i bezdis sepse është identitet”, tha ish-prokurori.
Top Channel