Familja e 19-vjeçares së zhdukur, Artemis Vasilis, ka marrë një letër nga një person anonim ku shkruhet se ajo është gjallë.

Letra ku tregohen të dhëna mbi fatin e shqiptares iu është dërguar avokatit të familjes, Anastasios Dougas në zyrën e tij në Selanik.

“Kushtojini vëmendje këtij informacioni serioz. Artemis Vasilis është gjallë. Po mbahet kundër dëshirës së saj nga dy burra. Herë pas herë transferohet në një lokacion tjetër. Një lëvizje e tillë është bërë për shkak se çështja është publikuar në televizione. Ndaloni së informuari publikun pasi autorët po ju ndjekin dhe janë në gatishmëri”, shkruhet në letër.

Por anonimi nuk ndahet vetëm me këto detaje, por tregon koordinata specifike të vendit ku është mbjtur ajo.

Gjithashtu zbulon se personat që e kanë rrëmbyer kanë kryer dy vrasje në të kaluarën, duke zhdukur trupat e viktimave.

“Më parë Artemis mbahej në një banesë në koordinatat 37 ° ** ‘**. **” N 23 ° **’ **. ** ” Dy personat që e kanë rrëmbyer kanë vrarë më parë një burrë dhe një grua, me të cilët kanë pasur lidhje”, shkruan dërguesi.

Më pas jep edhe koordinata të sakta edhe për vendin ku janë varrosur dy viktimat.

“Lëvizje të dyshimta vërehen edhe në strehën nëntokësore midis dy 37 ° ** ‘**. **” N 23 ° **’ **. ** “. Shtëpia e dytë ka edhe bodrum. Artemis ndoshta po mbahet atje. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm. Nëse ajo bën një gabim, ata ose mund ta lëvizin përsëri ose ta vrasin. Lëvizni shpejt”, thuhet në letër.